Sulmuesi shkodran Jurgen Gjini kthehet të luajë pas plot tre muajsh larg fushave të blerta. Në fakt, ai ende nuk ka luajtur zyrtarisht në ndeshjet e këtij sezoni, por në takimin e fundit me Shkumbinin, ai ka qenë në 18-she, I gatshëm në pankinë. Siç dihet, sulmuesi 22 vjeçar kaloi një problem shumë të madh në verën që shkoi. Pas një zënke të një të afërmi të tij me një person tjetër, ai ka hyrë për t’I ndarë dhe e ka pësuar vetë teksa është therur me thikë disa herë në bark. Dëmtimi ka qenë I rëndë por për fat nuk I ka sjellë rrezik për jetën. Kjo plagosje e la atë për disa kohë jashtë sportit.
Kohët e fundit ndërkohë, ai ka nisur stërvitjen dhe gradualisht ka nisur të kapë ritmin e grupit duke qenë tashmë plotësisht I gatshëm për të luajtur. Këtë e konfirmon edhe ai vetë teksa për gazetën tonë do të shprehej: “Po, tani jam krejt I gatshëm për të luajtur. Në ndeshjen e fundit me Shkumbinin isha në pankinë dhe shpresoj që në ndeshjet e ardhshme të kem mundësi të luaj”. Kthimi I Gjinit pranë skuadrës është një lajm I mirë edhe për trajnerin Duro sepse ai do ketë një alternativë më shumë për sulmin, repart ky që ka shfaqur jo pak probleme këtë sezon.
www.shkodrasport.com