Boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj është shpallur kampion bote në peshën “cruiserweight”, pas fitores me vendim unanim të gjyqtarëve ndaj kamerunasit Rolly Lambert Fogoum (120-108, 118-110, 119-109).

Në duelin e zhvilluar në “O2 Arena” të Londrës, boksieri kuqezi “rrëmbeu” titullin e kategorisë IBO. Në një përballje të fortë, ai arriti të triumfojë ndaj rivalit të tij, duke marrë kurorën.

Të dy boksierët u treguan mjaft taktikë në ring, por boksieri nga Lezha ishte më agresiv, sidomos në raundet e parë, ku dhe ndërtoi fitoren e tij.

Në fund të 12 raundeve, juria shpalli fitore unanime për Jurgen Uldedajn, i cili me këtë triumf u bë boksieri i parë shqiptarë që fiton titull bote në kategorinë IBO për peshën “Cruiserweight”. 28-vjeçari Uldedaj arriti të mbrojë avantazhin dhe të ngrejë lart flamurin kuqezi në mes të Londrës.