Visar Bekaj zbulon më të vështirët për t’i bllokuar në skuadër. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ylli i portës bardheblu foli për aventurën me Kosovën ku ishte kapiten i skuadrës si dhe pranoi se ADN-ja e Tiranës është titulli kampion. Për portierin e “Dardanëve” ky është sezoni i tretë te Tirana. Ai erdhi te bardheblutë para sfidës me Jang Bojsin në Bazel dhe u kthye një titullar i padiskutueshëm. Bekaj është një nga tre kapitenët e Tiranës në fushë.


Urime, keni luajtur 90 minuta në sfidën me Armeninë me fanellën e Kosovës. Si e përjetuat?

Është ndjenjë shumë e mirë. Normalisht është krenari që të përfaqësoj shtetin tim. Po ashtu isha edhe kapiten. Realisht është nderi më i madh për mua. Ndeshja shkoi mirë, ishim grup i ri, sepse ishin lojtarët që startonin tek ekipi A. Në fund është pozitive.


Cili është objektivi real i kombëtares së Kosovës në kualifikueset e radhës?

Ndeshjet i kemi në mars dhe objektivi i radhës është kualifikimi në Europian. Besoj se do të kualifikohemi në Europian. Ky është objektivi që kemi ne. Besoj se do ta realizojmë.


Do të luani në Superkupën e Shqipërisë menjëherë sapo të ktheheni në fushë. Mund ta fitoni?

Normalisht që dua ta fitoj. Çdo titull është me rëndësi për një skuadër si Tirana.


Keni zhvilluar disa ditë pushime. Këto ditë si e keni parë grupin?

Atmosfera është shumë e mirë në klub. Djemtë janë shumë të mirë. Kemi harmoni mes nesh. Po stërvitemi shumë mirë dhe po shpresojmë që deri në sfidën me Vllazninë do të përgatitemi shumë mirë dhe të hyjmë në sfidën me shkodranët për të dhënë 100-përqindëshin.


Cili është lojtari më i vështirë për ta bllokuar në stërvitje dhe si kundërshtar në Superiore?

Në stërvitje… Po se di, në stërvitje janë Hasani e Xhixha, që janë më të vështirët. Kundërshtarë… për këtë nuk e kam një emër. Ndoshta e dini më mirë ju.


Kundërshtari më i vështirë për Tiranën si skuadër?

Në këtë moment, ata që janë para në renditje. Kundërshtarët janë të gjithë të fortë, por unë do të veçoja Vllazninë dhe Partizanin


Titulli?

Të them të vërtetën, Tirana duam a s’duam ne lufton për titullin kampion. Ne futemi me objektivin ndeshja e radhës, por Tirana ADN-në e vetë e ka për titullin kampion.

Vjet portieri më i mirë. Mund ta arrini edhe sivjet?

Nuk e di. Nuk më takon mua të flas. Unë dua të jap maksimumin, më pas vendos tjetërkush.