Edi Martini dhe Teuta nuk qëndrojnë dot pa njëri-tjetrin. Trajneri që fitoi gjithçka në Durrës, duke filluar nga titulli kampion, Kupa e Shqipërisë dhe dy herë Superkupën, ka nisur dje zyrtarisht eksperiencën e tij të katërt në krye të “djemve të detit”. 47-vjeçari shkodran ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport” pas stërvitjes së parë, duke treguar çfarë e bindi t’i thoshte “po” ofertës së presidentit Edmond Hasanbelliu.

Debutimi i Martinit do të jetë kundër Kukësit në transfertë, një ndeshje për llogari të javës së 13-të të Superiores, që do të luhet më 11 ose 12 dhjetor. Ai tregoi për gazetën atë që pret nga grupi i lojtarëve, teksa shumicën prej tyre i ka stërvitur dhe për më tepër ka fituar titullin kampion.


Edi, ky është rikthimi i katërt në Durrës. Çfarë ju bindi këtë herë?

Përveç marrëdhënieve që unë kam me presidentin Edmond Hasanbelliu, pra përtej asaj president-trajner, këtë herë ajo që më bindi ishte edhe inati kur kam parë djemtë e mi që ndodhen në këtë pikë, pasi gjysma e ekipit aktual janë kampionë. Besimi që unë kam tek ata është i madh dhe kam bindjen e plotë se do t’ia dalim.


E gjeni skuadrën në vendin e fundit. Si e keni parë nga jashtë dhe çfarë mund të ndryshoni tani që u bëtë trajner i saj?

Unë them që do ta lëshojmë shumë shpejt vendin e fundit. I njoh mirë djemtë që janë në ekip, njoh gjithashtu mentalitetin e tyre, sedrën dhe kualitetin që kanë. Kjo më ka bërë mua të kem besim për të marrë përsipër diçka të tillë.


Keni 18 dita kohë për ndeshjen e javës së 13-të ndaj Kukësit, çfarë prisni nga skuadra në këtë periudhë përgatitjesh?

Angazhim dhe mobilizim maksimal, por edhe ta kthejnë kokën mbrapa, të kujtojnë kush kanë qenë një sezon më parë.


Mbeten edhe katër ndeshje deri në fund të vitit, me sa pikë do të ishit i kënaqur?

Unë do të isha i kënaqur me ekipin duke bërë stërvitje me mentalitet fituesi. Gjithashtu do të kënaqesha nëse shikoja ekipin që bënte ndeshje si burra dhe më pas patjetër pikët do të vijnë vetë.