Monday, February 16, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORE'Justifikimi' i Ilir Dajës pas barazimit me Flamurtarin: Unë të çoj deri...

‘Justifikimi’ i Ilir Dajës pas barazimit me Flamurtarin: Unë të çoj deri në zonë, aty vendos cilësia individuale

Pas një tjetër ndeshjeje ku rastet e krijuara nuk u shndërruan në gol, trajneri i Dinamos, Ilir Daja, bëri një analizë të plotë të momentit të skuadrës, duke e lidhur performancën jo vetëm me këtë takim, por me gjithë javën intensive që kaloi ekipi.

“Duhet ta marrim gjithë javën në analizë. Nuk mund ta analizojmë këtë ndeshje të shkëputur nga dy të tjerat, në kampionat dhe në Kupë. Flamurtari erdhi me një bonus freskie më të mirë se ne, sepse në ndeshjen e parë luajtëm me dhjetë lojtarë për disa minuta, ndërsa sfida e Kupës ishte shumë intensive për ne, pasi është një objektiv që e kemi seriozisht”, u shpreh Daja.

Tekniku theksoi se përballë kundërshtarëve që luajnë me organizim të ngjashëm, si Tirana dhe Flamurtari, stafi vendosi të ruajë të njëjtën strukturë fillestare si në dy ndeshjet e para, për të ndërhyrë më pas nga stoli.

“Në momentin që të dy ekipet luajnë pothuajse me të njëjtin format apo vendosje, menduam të startonim me ata që kishin nisur edhe dy ndeshjet e para, për të pasur mundësi të ndërhynim në pjesën e dytë”, vazhdoi më tej.

Sa i përket kritikave për mungesën e finalizimit, Daja e ndau qartë përgjegjësinë mes organizimit taktik dhe cilësive individuale.

“Ne si trajnerë kemi për detyrë t’i çojmë lojtarët deri në zonën e golit. Pastaj, brenda zonës, vendos cilësia individuale. Nuk mund t’i tregosh një lojtari saktësisht si ta zgjidhë një situatë konkrete para portës”, qartësoi tekniku kryeqytetas.

Ai pranoi se skuadra ka pasur vështirësi edhe për shkak të dëmtimeve dhe afrimeve të vona në merkato.

“Kemi problemet tona. Përveç dëmtimeve, disa lojtarë kanë ardhur në momentin e fundit dhe kjo kërkon kohë për t’u integruar. Gjithsesi, provuam të gjithë sulmuesit që kishim në dispozicion. Ndërruam rreth minutës së 50-60 për ta freskuar ekipin dhe për t’i dhënë një shans më të madh fazës së sulmit”, vijoi më tej.

Në fund, Daja theksoi se për të shënuar duhet më shumë prezencë dhe agresivitet në zonë.

“Që të shkosh te goli, një sulmues duhet të sulmojë zonën e golit. Lojtarët sulmues duhet të ishim më pranë zonës për të qenë më të rrezikshëm. Në përgjithësi mendoj që lojtarët ofensivë duhet të ishin më afër portës kundërshtare. Pastaj do të thonë që Ilir Daja ia kaloi fajin atij apo këtij. Kur fitojmë, fitojmë të gjithë. Kur humbasim, nuk ka pse t’ia kalojmë fajin njëri-tjetrit. Na mbetet vetëm të rrisim efikasitetin, sepse sulmuesit tanë përpara portës, po rezultojnë joeficientë në zgjidhjet individuale”, mbylli Ilir Daja.

Një analizë që tregon se problemi për Dinamon nuk është mungesa e rasteve, por mungesa e efikasitetit. Një detaj që në futboll shpesh bën diferencën mes fitores dhe zhgënjimit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments