“Mirë se u riktheve në shtëpi”. Ishte ky postimi me të cilin Mançester Junajtid zyrtarizoi mbylljen e marrëveshjes me Juventusin për Kristiano Ronaldon, një tratativë surprizë, e cila do të bëjë pa dyshim shumë të lumtur tifozët e “Djajve të Kuq”.
36-vjeçari rikthehet në “Old Trafford” 12 vite pas herës së fundit që veshi atë fanellë, teksa tashmë e pret një kontratë 2-vjeçare faraonike.
Nga ajo që nënvizon “Daily Mail”, CR7 do të fitojë 570 mijë euro në javë ose, e thënë ndryshe, 25 milionë euro në vit. Ndërkohë, Junajtid dhe Juventusi kanë rënë dakord për shifrën e 24 milionëve dhe jo 28 siç ishte përfolur fillimisht, duke i bërë të lumtur të gjitha palët.
Dhe kur bëhet fjalë për Ronaldon, mund të kuptohet impakti i tij që mund të ketë, me uebsajtin e Mançester Junajtidit që u bombardua mes komenteve, pëlqimeve dhe shpërndarjes së lajmit.
Në vetëm 4 minuta pas konfirmimit të marrëveshjes, ishin 12 mijë komente të ardhura, ndërsa pas 10 minutave të tjera lajmi ishte shpërndarë 82 mijë herë, ndërsa në faqe rezultonin 2.1 milionë “like”.
Tani mund të kuptohet vetë se çfarë fitimesh mund të arrijë në vazhdim Mançester Junajtid, nga fanellat dhe jo vetëm, duke kujtuar që “Djajtë e Kuq” janë klubi me më shumë fansa në botë, sidomos në kontinentin aziatik.