Klubi i Juventusit vazhdon “spastrimin” e lojtarëve që nuk bëjnë pjesë në planet e Masimiliano Alegrit. Sot e kishte radhën mesfushori zviceran Denis Zakaria, i cili i dha fund pa shumë shkëlqim aventurës së tij te bardhezinjtë.

Lojtari i cili në sezonin e kaluar ishte huazuar te Çelsi, ka finalizuar sot transferimin te klubi i Monakos në kampionatin francez. Akordi mes palëve është arritur për një transferim përfundimtar dhe kështu, Zakaria largohet nga Juventusi pas vetëm 11 ndeshjesh të luajtura me fanellën bardhezi.

Zakaria ishe kërkuar nga Alegri, por më pas vetë trajneri ishte ai që nuk e cilësoi të nevojshëm për planet e tij, duke shtyrë vazhdimisht klubin që t’i gjente një sistemim.

Juventusi e bleu për 10 milionë euro në janarin e vitit 2022 futbollistin nga Borusia Mynshengladbah, teksa ia doli të siguronte 3 milionë euro nga huazimi i tij te londinezët. Mbetet të mësohet shifra për të cilën ka shitur futbollistin te Monako gjatë kësaj dritareje të merkatos.