Vllaznia në basketboll për meshkuj ka fituar edhe ndeshjen e dytë finale të kampionatit ndaj Tiranës dhe tashmë është shumë pranë shpalljes kampione e vendit për këtë sezon. Ky takim është luajtur pasditen e së premtes në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” që ka qenë sërish I tejmbushur me sportdashës.

Shkodranët nuk e kanë nisur mirë ndeshjen dhe në dy periodat e para kanë qenë në disavantazh por fundi I periodës së tretë ka sjellë përmbysjen e shifrave ndërsa në të katërtën ata kanë kontrolluar rezultatin dhe e kanë mbyllur krejt ndeshjen në shifrat 65-60.Fundi I ndeshjes ka sjellë një atmosferë shumë entuziaste në pallatin e sportit dhe kënaqësia tek sportdashësit ka qenë e madhe por edhe në rradhët e sportistëve dhe pjestarëve të stafit teknik.Ndërkohë ndeshja e tretë finale do të zhvillohet ditën e martë në Tiranë dhe në rast fitoreje, Vllaznia shpallet që atë ditë kampione e vendit.