Punimet në stadiumin “Loro Boriçi” mund të mos nisin as këtë të hënë siç u deklarua pak ditë më parë nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit. Kjo sepse Bashkia Shkodër si pronarja legjitime e këtij impianti sportiv, ende nuk ka në zyrat e saj asnjë projekt, asnjë kontratë me Federatën për atë se çfarë do të bëhet në këtë stadium, kur do të nisë prishja, kur do të përfundojë dhe si do të funksionojnë dhe kush do ta menaxhojë stadiumin pas përfundimit të ndërtimit. Në rrethana të tilla, mësohet se Bashkia ka udhëzuar klubin e futbollit Vllaznia për të mos lejuar nisjen e punimeve ditën e hënë pa patur pikërisht këto shkresa të firmosura në zyrat e saj.

Njoftimi është bërë I ditur nga vetë klubi shkodran sipas të cilit, pa patur një vendim prishje nga ana e Bashkisë Shkodër, punimet për prishjen e tribunës qendrore nuk mund të nisin. Kuptohet institucioni I pushtetit lokal nuk është kundër zbatimit të këtij projekti madhor por duke qenë ajo e “zonja e shtëpisë” kuptohet që don të dijë se çfarë do të ndodhë aty tani dhe si do veprohet për të ardhmen. Në rrethana të tilla, tashmë duhet pritur. Drejtuesit e klubit Vllaznia kanë informuar ata të Federatës Shqiptare të Futbollit për këtë gjë, por nga zyrat e kësaj të fundit ende nuk ka mbërritur asnjë kontratë a diçka e tillë. Për këtë arsye, nisja e punimeve ditën e hënë në “Loro Boriçi” është në dyshim.
www.shkodrasport.com