Në prag të nisjes së sezonit të ri të Serie A, Juventusi po përgatitet të rikthehet në majat e futbollit italian. Bardhezinjtë kanë larguar tashmë disa faktorë që nuk bëjnë pjesë në planet e ekipit, një prej tyre dhe kapiteni Leonardo Bonucci.

Mbrojtësit italian i është komunikuar nga drejtori sportiv Cristiano Giuntoli se nuk do të jetë pjesë e skuadrës për sezonin e ardhshëm. Kjo gjë, nuk i ka pëlqyer aspak 36-vjeçarit, i cili nuk ka qenë aspak dakord për t’u larguar nga “zonja e vjetër”.

Siç raporton “Gazzetta dello Sport”, avokati i Bonuccit i ka dërguar një kërkesë klubit të Juventusit për të rikthyer ish-kapitenin në skuadër, por përgjigja e torinezëve ka qenë negative.

Nga ky moment, mbrojtësi italian ka të drejtën për të aplikuar pranë Bordit të Arbitrazhit për të kërkuar një dëmshpërblim nga klubi që mund të shkojë deri në 2 milionë euro. /oversport/