Gazetari i njohur në vend, Gjergj Stefa, i cili punon në “Supersport”, ka dhënë mendimin e tij sa i përket situatës së Shqipërisë. Kuqezinjtë do të përballen me Italinë në miqësoren e luksit. I ftuar në “Sport Magazine” që transmetohet në “Ora News” dhe moderohet nga Drilon Xhepollari, Stefa u shpreh se ka ardhur koha që Kombëtarja të drejtohet nga një shqiptar, duke prezantuar emrin e Lorik Canës.

“Më pëlqen lista. Shqipëria ka filluar rinovimin në këtë miqësore luksi. Reja ka afruar futbollistë si Broja dhe Muci, por edhe lojtarët e Superiores. Ky do të jetë test i bukur miqësor pasi lojtarët tanë që luajnë në Serinë A do të përballen me miqtë e tyre. Pse jo, duhet të tentojmë një rezultat pozitiv. Pavarësisht rezultateve jo të mira, këta lojtarë po piqen, Asllani ka fituar më tepër minuta te Interi, Broja ka luajtur më tepër minuta te Chelsea.

Lojtarët e Superiores? Duhet të jemi realist, jemi dobët në arenën ndërkombëtare. Megjithatë duhet të shohim shembullin e Uzunit, këtë fat mund ta kenë edhe lojtarët e Superiores tani. Një mes tyre mund të jetë dhe Skuka. Këto ndeshje janë shanse të mira për të hequr frikën dhe për të rritur besimin se këta lojtarë janë gati për nivele të tilla.

Reja? Sipas Sonketës, 90 përqind e njerëzve kanë opinion të mirë për Rejën si individ, për shkak të kulturës dhe edukatës që përcjell. Më shumë se 75 përqind e njerëzve kanë preferuar për ndërrimin e trajnerit dhe duan një trajner shqiptar. Ndoshta ka ardhur momenti që ish-lojtarëve si Skela, Cana, t’u jepet shansi. Mendimi im personal, kur Dalic me një CV modeste që nga Dinamo në Arabi, të drejtoj një grup kampionësh si Kroacia dhe i dërgoj deri në nivele të larta, pse jo.

Ndoshta një ish-futbollist shqiptar që ka luajtur në nivele të larta si Cana, duhet t’i kthejmë sytë te ta. Zakonisht Kombëtaret po marrin trajner vendas, i njohin mirë mentalitet e vendeve të tyre, vetëm Greqia ka të huaj. Ervin Bulku ka 7 vite në stafin kombëtar dhe e drejtoi Shqipërinë U-17 drejt kualifikimit historik.

La Casa de Quiz? Tentuam pas më shumë se 28 vitesh që ta risjellim. Fillimisht kanë qenë 400 pjesëmarrës dhe sot në mbrëmje, do të zhvillohet gjysmëfinalja e dytë. Të premten do të jetë finalja e madhe për të prezantuar fituesin. Kanë qenë konkurrent të jashtëzakonshëm dhe unë i falënderoj për impenjimin e tyre. Dua të falënderoj Egi Duron dhe të gjithë stafin. Ne e kemi fituar Botërorin tonë”, tha Stefa.