Deri në ditët e fundit të dhjetorit gjithçka ka qenë OK për të. Edhe mungesa e rezultateve ishte e justifikuar për arsye se e kishte marrë ekipin e Vllaznisë në një moment jo të mirë dhe për rrjedhojë, ndaj tij nuk ka patur shumë presion. E kemi fjalën për trajnerin Ernest Gjoka. Por nga ditët e para të këtij viti, gjërat kanë ndryshuar.

Merkatoja e bërë sipas shijeve të tij dhe për më tepër deklaratat e bëra prej tij se tashmë do të shikonim një skuadër ndryshe, bënë që pritshmëritë të ishin të mëdha. Megjithatë mjaftoi dështimi ndaj Kukësit dhe të gjithë “i janë vënë në shpinë”.

Trajnerë e specialistë futbolli në Shkodër por edhe tifozë e njerëz të tjerë, kanë filluar të shprehin edhe publikisht pakënaqësitë për zgjedhjet taktike që ai bëri apo dhe shumë gjëra të tjera. Me siguri që tashmë nuk do të ketë më “qetësi”. Gjoka është nën presion. Pavarësisht se ai bën thirrje për durim, në Shkodër nuk duan të presin gjatë për kthesën tek Vllaznia në mënyrë që të mos përsërisin fatin e sezonit të kaluar kur shpëtuan në javën e fundit të kampionatit.

Megjithatë e rëndësishme është se vetë ai beson tek kthesa dhe ardhja e rezultateve. Përderisa e thotë bvetë, kjo tregon se e njeh mirë gjendjen e futbollistëve dhe kapacitetin e këtij ekipi. Prandaj, mbase duhet t’i japim sërish kohë sepse janë edhe 19 sfida të tjera që duhen luajtur dhe gjithçka mund të ndodhë.
© shkodrasport.com