Para se futbolli të ndalej, Bajerni tregoi se është kthyer të jetë aty ku i takon dhe nuk është më ajo skuadra e brishtë e fillimit të sezonit.

Hansi Flik e mori në emergjencë drejtimin e skuadrës, pas shkarkimit të Kovaç, por është akoma në krye dhe ka arritur të risjellë ekipin në vete dhe ta shndërrojë në një kundërshtar të frikshëm për çdokënd.

Kontrata e gjermanit me bavarezët është deri në fund të këtij sezoni dhe më pas drejtuesit do të vendosin në lidhje me të ardhmen e stolit të kampionëve. Mediet pranë bavarezëve prej kohësh flasin për një rinovim afatgjatë të Flik, në rast se skuadra vazhdon me këtë hap.

Raportimet e medieve i konfirmon një nga drejtusit e lartë të Bajernit, Uli Hënes. Ish-presidenti shprehet se me shumë mundësi klubi do të rinovojë me Flik.

“Mendoj se Hansi Flick ka bërë një punë të shkëlqyer. Bordi drejtues do të vendosë shumë shpejt për të, por gjasat janë që të rinovojë me ne”, tha Hënes. /vipsport/