Te Vllaznia duket se kësaj here kanë një plus më shumë në duelin ndaj Trianës. Është pikërisht stafi i klubit shkodran njohësi më i mirë i kampionëve të vendit.

As më pak e as më shumë, tre ndër katër pjesëtarët e stafit teknik e njohin mirë skuadrën dhe karakterin e ekipit të Tiranës.

Ndër vite të ndryshme, ata kanë kontribuar duke dalë madje kampionë me këtë skuadër. Kjo duke filluar nga trajneri Mirel Josa. Një ish-mesfushor i shquar i 17 Nëntorit të famshëm, ku me fanellën bardheblu shkëlqeu si lojtar, duke fituar tituj pa fund.

E po ashtu si trajner u shpall kampion me ekipin ku u rrit dhe u konfirmua si një prej futbollistëve më të mirë në Shqipëri.

Po ashtu, zëvendëstrajneri Vioresin Sinani në sezonin 2006-’07 ishte pjesë e Tiranës. Ai jo vetëm që fitoi titullin kampion me bardheblutë, por gjithashtu edhe “Këpucën e Artë” atë sezon në Superiore. Përjashtim nuk bën as Auron Miloti.

Tashmë në rolin e drejtorit sportiv te Vllaznia, ish-sulmuesi ka fituar 3 tituj kampionë me Tiranën në vitet 1994-’98, ku ai ka mbajtur veshur fanellën e rekordmenëve të futbollit tonë.

Vetëm Ideal Lekiqi, trajneri aktual i portierëve te Vllaznia, nuk ka një të shkuar me Tiranën nga stafi teknik aktual. Pra, një treshe që e njeh mirë Tiranën në stolin e Vllaznisë, gjë që mund të ndikojë që të dinë të godasin në pikat e dobëta të këtij ekipi.