Në Vlorë nuk është se krenohen me pjesëmarrjen në Kategorinë e Dytë, por ama një trofe e duan. Pasi siguruan ngjitjen, tashmë lakmojnë titullin kampion. Këtë e thotë në një intervistë për “Panorama Sport” edhe Andi Ribaj. Kapiteni paralajmëron fitoren në javën përmbyllëse të kampionatit, por edhe finalen me kryesuesen e grupit tjetër.
Nuk dëshiron të merret me gjykimin, ndonëse trajneri hapur reklamoi penalltitë që u dhanë në favor të Sopotit. Një javë më parë është bërë për herë të parë baba i një djali, por thotë se Arborit nuk do t’ia rekomandonte kurrë që të bëhej futbollist…
Pas 17 fitoresh, Flamurtari u ndal në barazim në Librazhd. Çfarë ndodhi kundër Sopotit?
E kishim vlerësuar maksimalisht atë ndeshje. Prodhuam shumë raste, por nuk shënuam dot. Natyrisht që nëse do të ishim më konkretë në finalizim, do ta kishim mbyllur gjitha në favorin tonë. Loja ishte e gjitha për ne. Dominuam dhe zotëruam topin, por në fund na barazuan. Lamë dy pikë, që do donim t’i kishim.
U ndiet në presion?
Nuk kishim kurrfarë presioni. Ne udhëtuam në Librazhd më shumë se të qetë, pasi e kishim siguruar ngjitjen në Kategorinë e Parë. Vlerësimi nuk mungoi, madje ishte maksimal. Ne i kemi vënë vetes qëllim që ta mbyllim këtë sezon si të pathyeshëm, ndaj shkuam për të fituar.
Trajneri Resuli u ankua për gjykimin te rasti i penalltive. Ndani edhe ju të njëjtin qëndrim?
Për këtë pjesë nuk më takon mua të komentoj. Nuk mund të jap asnjë mendim për këtë gjë.
Edhe në ndeshjen e fundit me Devollin do të jeni pa presion…?
E njëjta gjë, por këtë herë do t’i marrim pikët e plota. Nuk ka asnjë histori tjetër. Do të ndodhë sikundër edhe në çdo ndeshje tjetër. Nuk e diskutojmë aspak fitoren.
Do të luani edhe një finale me kryesuesen e grupit tjetër. E fiton Flamurtari këtë trofe?
Normalisht, sepse kemi një ekip shumë të mirë. Jam shumë i bindur se do ta fitojmë kupën e Kategorisë së Dytë.
Ribaj tashmë është baba. Si ndiheni dhe çfarë ka ndryshuar në përditshmërinë tuaj?
Jam bërë baba për herë të parë. Ka ardhur në jetë djali im Arbor. Është një ndjesi e veçantë. Nga përditshmëria ime kanë ndryshuar shumë gjëra. Jam i përkushtuar vetëm te djali im. Nuk dal më për kafe. Sapo mbaroj stërvitje, shkoj në shtëpi.
Do të donit që Arbori të vazhdonte rrugën tuaj?
Në qoftë se do t’i pëlqente le të vazhdonte, por unë nuk do t’ia rekomandoja.
Pse jo?
Është torturë. Ndaj, doja që të ishte larg këtij profesioni.