Ditën e sotme në Targu të Rumanisë ka nisur Kampionati Europian i 22 vjeçarëve në boks. Në këtë ditë të parë, janë ngjitur në ring edhe dy nga tre boksierët e kombëtares shqiptare që përfaqësojnë vendin tonë në këtë eveniment të rëndësishëm.

Por jo vetëm kaq. Krenar Zeneli dhe Arjon Kajoshi kanë fituar ndaj kundërshtarëve të tyre dhe tashmë kanë kaluar në turin e dytë.

Boksieri vlonjat është ndeshur me një kundërshtar nga Çekia i cili vitin e kaluar ka marrë medalje argjendi në Europianin e 18 vjeçarëve.

Fitorja e sportistit tonë ka qenë e pastër, 5-0 por duhet thënë se Zeneli në raundin e tretë është çarë në vetull dhe kjo gjë e vë disi në dyshim ndeshjen e nesërme ndaj kundërshtarit nga Gjermania.

I gjithë problemi është nëse gjyqtaria do ta lejojë të boksojë apo jo. Sakaq, shkodrani Arjon Kajoshi ka patur përballë një boksier nga Italia me të cilin ka fituar me rezultatin e pastër 3-0.

Edhe italiani tre vjet më parë ka qenë medalist i bronztë në Europianin e 18 vjeçarëve. Në turin e dytë të Europianit, boksieri i Vllaznisë do të ndeshet me një kundërshtar nga Suedia.

Kësisoj nisja që sportistët tanë i kanë bërë këtij Europiani duket e shkëlqyer dhe jo më kot trajneri Gjoni ka premtuar medalje prej tyre.

Kujtojmë që boksieri tjetër- Albert Kapaj, me short ka kaluar direkt në turin e dytë ku do të ketë përballë një boksier nga Franca.
© shkodrasport.com