Renaldo Kalari do të jetë për të dytën ndeshje trajneri i Partizanit dhe të kuqtë luajnë nesër përballë Vllaznisë. Në prag të këtij takimi trajneri i të kuqve ka dalë në konferencë për shtyp dhe ka analizuar gjendjen e skuadrës së tij.

Ai shprehet se të gjithë duhet të japin më të mirën për të kaluar nga kjo situata si edhe shtoi se nuk është tip që merret me deklarata. Kjo i referohet Shpëtim Duros, që u shpreh se skuadra e Kukësit është më mirë se Partizani.

“Forma? Të jemi realistë, nuk është një situatë e mirë. Tre humbje ndikojnë te skuadra psikologjikisht dhe moralisht. Gjithsesi jemi Partizani dhe brenda vetes sonë, nga unë i pari, duhet të gjejmë dhe do i gjejmë forcat për t’u ngritur dhe për të shkuar aty ku i takon këtij klubi.

Mungesat? Kemi mungesa, por kemi një organikë me shumë lojtarë. Të gjithë janë të rëndësishëm, por i kemi lojtarët e tjerë për t’i zëvendësuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Jo vetëm të Partizani, por në asnjë ekip nuk ka të pazëvendësueshëm.

Përgjegjësia? Përgjegjësia te Partizani dihet. Është në çdo rol në këtë klub, pasi je në një klub me objektiva madhorë, me emër të madh, një legjendë e futbollit shqiptar. E thashë, përgjegjësia ndihet edhe në pozicionet e tjera e jo më në pozicionin e trajnerit.

Gjithsecili, me mundësitë tonë, duhet të bëjë maksimumin për ta çuar këtë skuadër përpara. Është një moment i vështirë, por besoj se është momental, si për mua, ashtu edhe për të tjerët brenda kësaj skuadre.

Situata? Duhet kohë t’i japësh përgjigje pyetjes se cilat janë  arsyet e kësaj situate. Kur të mbarojë kjo ndeshje, secili nga ne do të bëjë një skaner të vetes, të situatës personale dhe të klubit. Kështu do të nxirren shkaqet që kanë sjellë këtë mini-situatë të vështirë. Më pas të përmirësojmë ato gjëra që kemi bërë gabim.

Pritshmëritë? Nga skuadra pres një sforco të fundit, flas në aspektin fizik. E kemi nisur sezonin që më 15 qershor dhe nuk kemi ndalur. Ka qenë sezon i lodhshëm fizikisht dhe psikologjikisht.

Ndaj prej sakrificën e fundit për Partizanin, klubin, presidentin që na ka qëndruar pranë, për drejtorin dhe tifozët që na mbështesin. Të fitojmë këtë ndeshje dhe më pas mendojmë të bëjmë skanerin. Sezoni është akoma i gjatë.

Deklaratat e Duros? Nuk e di çfarë ka thënë dhe nuk merrem fare. Nuk jam unë personi që duhet të merret me deklaratat e të tjerëve. Në krahasim me rivalët, Partizani është aty.

Diferencat janë shumë të vogla. Para tre ndeshjesh flitej që Partizani nisi shkëputjen, pas tre ndeshjesh jemi këtu ku jemi me këtë diferencë pikësh me Kukësin. Sot tani thonë të gjithë që rivalët nisën shkëputjen.

Ne do jemi aty për objektivin që i kemi vënë vetes. Edhe të tjerët kanë kaluar situata të tilla, do i kalojnë edhe rivalët tanë sërish. Futbolli kështu është, ka luhatje. I fortë është ai që ngrihet pasi bie.

Vllaznia? Jemi të ndërgjegjshëm për atë që ka bërë Vllaznia, sidomos në ndeshjet jashtë. E vlerësojmë maksimalisht këtë sfidë, pasi na duhen pikët. Duhet t’i bëjmë një mbyllje të mirë kësaj faze. Për momentin mendojmë  për atë që duhet të bëjmë ne, jo për atë që ka bërë Vllaznia apo do të bëjë.

Duhet t’i imponojmë kundërshtarit lojën tonë dhe në fund urojmë të fitojmë. Përballja me ish-shokët, si Malota? Nuk e kam menduar. Kam gjëra më të rëndësishme në këtë moment. Mendoj të bëjmë mirë nesër ndaj Vllaznisë, të bëjmë ato gjëra për të cilat jemi përgatitur. Sinqerisht nuk më intereson aspak kë kemi përballë.

E ardhmja? Nuk kam menduar për të ardhmen. Jam një njeri që mendoj të bëj maksimumin për momentin të ardhmes nuk i duhet. Shpresoj shumë që shumë të jem brenda këtij klubi të madh, të marr eksperiencën që duhet për të arritur aty ku synoj.

Një fitore për CV-në? As këtë nuk e kam menduar. Më intereson fitorja vetëm për skuadrën, për situatën që jemi, për të qëndruar lart, për familjen e Partizanit. Vetëm për kaq më intereson fitorja nesër”, tha Kalari. /VipSport/