Të mërkurën do të përcaktohet edhe kalendari i Kategorisë Superiore. Ose të paktën, fundjava shihet si afati kur do të merret edhe një vendim zyrtar rreth hedhjes së shortit në Federatën e Futbollit për ndeshjet e kampionatit elitar në vend.
Kalendari ishte parashikuar të përcaktohej prej fillimit të kësaj jave, por problematike mbetet situata e skuadrave pa stadium. Ashtu si ka ndodhur në mënyrë të përsëritur në vitet e fundit, edhe në këtë sezon dy nga 10 klube nuk kanë stadium në qytetin e tyre.
Pas një sezoni me polemika dhe konfirmime për gjendjen e rënduar të “Zeqir Ymerit”, Kukësi do të kërkojë një shtëpi të re, ndërsa pa stadium është edhe ekipi i Kastriotit, i rikthyer në Kategorinë Superiore.
Në varësi të miratimeve për stadiumet që këto dy skuadra kanë propozuar dhe do të dorëzojnë kontratat, Federata Shqiptare e Futbollit do të hedhë edhe shortin për sezonin 2018-2019.
Aty ekipet pa stadiume do të trajtohen në mënyrë specifike, për të evituar përplasjet e ekipeve që luajnë larg stadiumeve të tyre me skuadrat që i kanë në zotërim impiantet.