Lëvizjet për privatizimin e Vllaznisë tashmë kanë nisur. Bashkia ka hapur një tender për të bërë vlerësimin e aseteve dhe tashmë procesi pritet të vijojë. Një nga anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Klubit Vllaznia, pikërisht Beniamin Nako në një prononcim për “Shkodra Sport” ka folur për këtë çështje. Ai ka deklaruar se nëse ka investitorë seriozë, institucioni i pushtetit lokal mund t’i përshpejtojë procedurat për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështje.

“Bashkia Shkodër është e interesuar për procesin e privatizimit. “Nëse investitorët që mund të ofrohen janë seriozë dhe ofrojnë besueshmëri, jam i sigurtë se Bashkia do të punojë 24 orë për të përshpejtuar procedurat e vlerësimit të aseteve dhe të këtij procesi, në mënyrë që t’i japë rrugëzgjidhjen e duhur sa më shpejt këtij procesi”- ka deklaruar ai. Nako ndërkohë u ka dhënë përgjigje edhe shumë diskutimeve që bëhen në opinion dhe që fajëson të gjithë drejtusit për krizën në të cilën ndodhet skuadra. Ai shpjegon: “Kritikohen shpesh drejtuesit e klubit. Në Bordin drejtues jemi dy ish-sportistë, unë dhe Admir Teli, ish- futbollist i Vllaznisë dhe i kombëtares. Janë edhe Shpëtim Quku kryetar i Bordit dhe Sytki Muça. Ne si Bord jemi për të kontrolluar financat që miraton Këshilli Bashkiak. Ne kemi shkuar aty të japim një kontribut, të mbështesim ekipin dhe t’i qëndrojmë afër. Nuk e shoh problemin në drejtimin e klubit por tekdrejtimi teknik. Kemi dy merkato që dështojmë dhe ky është problemi kryesor dhe këtu duhet të ulet përgjegjësia, në anën teknike, tek ato që merren me merkaton dhe nuk kemi të bëjmë me problem të Bordit apo dhe të administratorit që janë në funksione të tjera në klub. Skuadra e sivjetme nuk është krijuar ashtu si duhet. Ka probleme të mëdha në mbrojtje dhe në sulm dhe ato po reflektohen në paraqitjet e ekipit”.

Pavarësisht të gjitha këtyre gjërave dhe pa dashur të ndalet tek gjetja e fajtorëve, u bën thirrje të gjithëve për mbështetje të Vllaznisë në këto momente të vështira që ajo po kalon. “Unë besoj tek kthesa sepse ekipi i ka mundësitë për ta bërë këtë gjë. Duhet më shumë mbështetje nga të gjithë ne, nga specialistët, tifozët, mediat lokale sepse është kollaj të kritikosh por Vllaznia sot ka nevojë më shumë se kurrë për mbështetje. Do të mjaftonte një apo dy rezultate pozitive dhe jam i bindur se kthesa do të vijë. Duhet të luftojmë fort ndaj Tiranës, në rradhë të parë për të treguar veten dhe më pas për të kërkuar edhe kualifikimin. Të mos harrojmë se një kualifikim të mërkurën, do ta motivonte së tepërmi ekipin për ndeshjen e kampionatit me Kamzën, të cilën unë në fakt e konsideroj më me shumë rëndësi dhe ku duhet të përqendrojmë të gjitha forcat. Trajneri Gjoka është duke bërë një punë shumë të mirë dhe mendoj se kthesa do të vijë”- ka thënë Nako.
© shkodrasport.com