✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI
Pavarësisht vështirësisë që paraqet ndeshja e rradhës në kampionat për Vllazninë, ku kuqeblutë do luajnë në transfertë ndaj Partizanit, objektivi nuk ndryshon aspak për 9 herë kampionët e vendit tonë. Kështu kuqeblutë udhëtojnë drejt kryeqytetit ditën e dielë vetëm më një qëllim dhe ai është sigurimi i tre pikëshit të rradhës. Kjo për të ruajtur kryesimin e Superiores, në një moment ku Elbasani është me pikë të barabarta me shkodranët, në kuotën e 23 të tillave.
Teksa nga pas ndjekin edhe Egnatia me 19 pikë e Dinamo me 18 pikë, të cilat do mundohen të përfitojnë nga një ndalesë e mundshme e shkodranëve. Megjithatë Vllaznia përveç ndeshjes së rradhës patjetër kërkojnë të “pëfitojnë” edhe nga kalendari i javëve të ardhshme. Me shkodranët që do kenë përballë skuadrat që aktualisht nuk janë pjesë e “final 4” dhe në letër shikohen të “kalueshëm” nga ana e 9 herë kampionëve të vendit, gjithmonë duke mos nënvlerësuar asnjë rival.
Kështu pas Partizanit, kalendari prezanton një duel me Teutën në shtëpi për Vllazninë, ku në takimet si pritës shkodranët kanë qenë perfektë deri në këtë pikë të edicionit. Duke fituar 6 nga 6 ndeshjet e zhvilluara në “Loro Boriçi” e duke marrë kështu pikët e plota. Pas durrsakëve, kuqeblutë do jenë në transfertë ndaj Vorës, një tjetër kundërshtar i gjysmës së poshtme të tabelës.
Ndaj të cilëve po ashtu do synohet fitorja, me Vllazninë që në 3 ndeshjet e rradhës në Superiore do ketë si objektiv arritjen e 3 fitoreve për 9 pikë. Pikë që do e mbanin në krye të kampionatit skuadrën e Martinit në gjysmën e fazës së dytë të tijën.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”







