Ka nisur merkato e janarit dhe klubet kanë nisur të bëjnë lëvizjet e para me mundësitë, që i ofron tregu. Skënderbeu është një nga skuadrat, që ka më shumë nevojë për ndërhyrje dhe duket se presidenti Takaj e ka kuptuar mirë këtë dhe ka arritur të sigurojë shërbimet e një lojtari me shumë eksperiencë.

Vangjel Zguro ka vendosur të lërë Shtetet e Bashkuara dhe të rikthehet në Shqipëri. Mes disa propozimesh anësori ka zgjedhur t’i bashkohet skuadrës së Skënderbeut dhe të ndihmojë në krahun e majtë të difensivës me aftësitë dhe eksperiencën e tij.

Burime pranë klubit të Skënderbeut bëjnë me dije se është gjetur dakordësia mes palëve dhe pritet vetëm zyrtarizimi. Kështu, Zguro kthehet pas dy vitesh në atdhe, pas eksperiencave me Red Wolves dhe Tusla në Amerikë, ku arriti të tregojë aftësitë e tij.

Në të shkuarën Zguro ka luajtur me një sërë skuadrash të Kategorisë Superiore si Kukësi, Luftëtari apo Kamza. Me të në tratativa ishte edhe klubi i Vllaznisë, por duket se pogradecari ka dashur të jetë më pranë familjes së tij dhe ka zgjedhur Skënderbeun. /abcnews/