Nëpërmjet miqësoreve skuadra e Kukësit po përpiqet që të harmonizojë sa të mundet grupin e lojtarëve, duke qenë se ky sezon i gjen me shumë ndryshime dhe për më tepër me djem të rinj. Në testin e fundit, blutë u ndalën në një barazim pa gola ndaj Laçit. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri i Kukësit, Rraman Hallaçi, vlerësoi paraqitjen e të tijve, por nuk la mënjanë as kritikat.
“Ndeshja me Laçin më tregoi disa gjëra pozitive në tërësi. Disa janë gati në gjendjen fizike, por të tjerë janë ende shumë larg asaj çka unë kërkoj, sidomos kur topin e ka kundërshtari. Dua lojtarë që bëjnë shumë kilometra gjatë ndeshjes, kërkoj nga disa prej tyre më shumë shpejtësi kur kemi topin në zotërim.
U munduam të dilnim me sulm gradual dhe disa herë e bëmë mirë, por duhet të krijojmë më shumë krosime nga krahët. Jam shumë kërkues nga kualiteti dhe cilësia, ende jemi lart nga ajo që pres nga lojtarët, por çdo ditë po mundohemi të përmirësojmë ndonjë gjë”, ka thënë fillimisht trajneri i Kukësit.
SITUATA DHE PREMTIMI- Siç dihet, kohët e fundit në Kukës janë duke qarkulluar zëra se klubi mund të ndryshojë pronësi. Nëse kjo ndodh, përflitet se edhe Hallaçi nuk e ka më vendin të sigurt. Sa i përket kësaj çështjeje, tekniku ndihet i qetë, duke theksuar se nuk do ta lërë skuadrën në baltë.
“Në lidhje me zërat e fundit, jam profesionist në maksimum, bëj çdo ditë punën me përkushtim maksimal. Kam besimin maksimal të drejtuesve që të jem trajner i kësaj skuadre dhe nuk e lë atë në baltë në këto momente të vështira. Do të rregullohen gjërat dhe do ta rikthejmë skuadrën aty ku i takon”, theksoi më tej Hallaçi.
Ai zbulon se tifozët kuksianë janë mjaft të interesuar për ekipin, por u premton se po bëjnë më të mirën e mundshme dhe kur të nisë kampionati do dalë në pah puna.
“Falënderoj të gjithë tifozët që më shkruajnë vazhdimisht dhe më pyesin rreth gjendjes së skuadrës. Ju premtoj që bashkë me stafin teknik, sportiv, me drejtuesit më të lartë dhe menaxherin e skuadrës, jemi duke bërë një punë pa shumë zhurmë. Por, do të flasim kur të fillojë kampionati”, përfundoi kreu i pankinës kuksiane, i cili është i vetëdijshëm që po e drejton skuadrën në një moment kritik.