Dejvi Bregu sot ka triumfuar dyfish, pasi përveç titullit kampion me Teutën, ka siguruar edhe “Këpucën e Artë” falë tre golave të shënuar kundër Apolonisë. Ai nuk ka ngurruar ta cilësojë këtë si suksesin më të madh të karrierës, ndërsa për “SuperSport” pranoi se kishte qenë një titull i vështirë edhe për shkak të rivalitetit me Vllazninë.

“Duhej të isha larg shtëpisë që të bëhesha ky që jam. Kjo është arritja ime më e madhe në kampionatin shqiptar, duhet të përshëndes të gjithë ata që ka kanë mbështetur, presidentin, tifozët, shokët, e kanë merituar këtë titull.

Ishte shumë e vështirë se Vllaznia kishte bërë një kampionat shumë të mirë. Shkëputja e parë e pikëve na demoralizoi, na uli besimin. Kur humbëm në Shkodër në fazën e dytë, aty ishte një pikë kthese se besuam se kishim forcat për të fituar këtë kampionat.

Nuk kam çfarë të komentoj për kombëtaren, nuk është në dorën time. Unë do të jap gjithmonë maksimumin.

Kontrata mbaron pas Kupave të Europës, pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Bregu. /vipsport/