✍️ Shkruar nga “Shkodra Sport”

Janë luajtur pasditen e sotme dy ndeshjet e para të kampionatit 5×5 Masters që po zhvillohet nën kujdesin e Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër dhe në partneritet me Shoqatën Pro Sport. Dhe në fakt ndeshjet e sotme kanë dhuruar edhe një surprizë të madhe.

Themi kështu sepse ekipi i veteranëve të Vllaznisë, ndonëse konsiderohej favoriti kryesor për fitimin e këtij turneu, sot ka pësuar humbjen e parë. Dhe atë ia ka shkaktuar ekipi i OSHEE Shkodër. Ka qenë një ndeshje me shumë emocione dhe në fund veteranët janë detyruar të pranojnë humbjen.

Në fakt ata kanë qenë shumicën e kohës në udhëheqje të avantazhit, fillimisht në 2-1 e më pas në 3-2 ndërkohë që pjesa e parë do të mbyllej në barazim 5-5. E dyta nis më mirë për veteranët e Vllaznisë që shënojnë dy gola njëri pas tjetrit me Senad Mashin dhe kjo krijoi përshtypjen se ata do ta fitonin ndeshjen, por jo.

Lojtarët e ekipit të OSHEE nuk kanë hequr dorë dhe jo vetëm kanë barazuar fillimisht në 7-7 dhe më pas në 8-8, por në fund një gol i shënuar nga Elvis Mehja dy minuta para fundit do t’i jepte fitoren 9-8 ekipit të tij. Dhe veteranët e Vllaznisë me në krye Hysen Zmijanin, Avenir Danin, Suad Licin, Safet Osjen, Altin Xhahysën, Edmond Doçin, Valmir Kurtin, Senad Mashin e Elis Dervishajn detyrohet të pranojë humbjen.

Një meritë e madhe e të gjithë lojtarëve të OSHEE Shkodër, veçanërisht e Elvin Shalës, por edhe Erin Ndrecës, Ditjer Dragës, Sokol Hasanajt, Gjon Balës, Elvis Mehjes dhe Oltion Krajës. Kampionati në këtë mënyrë duket se do të jetë shumë interesant dhe nga java në javë mund të dhurojë supriza.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”