✍️ Shkruar nga “Shkodra Sport”

Ekipi i Medias Shkodër ka shkaktuar një suprizë në javën e tretë të kampionatit 5×5 Masters që po zhvillohet nga Shoqata Rajonale e Futbollit Shkodër në partneritet me Shoqatën “Pro Sport”. Ndonëse i kishin humbur dy ndeshjet e para, gazetarët shkodranë sot kanë barazuar 3-3 ndaj veteranëve të Vllaznisë, madje kanë qenë shumë pranë fitores.

Takimi i luajtur pasditen e sotme në kompleksin “Zmijani”, ka nisur me gol për veteranët kuqeblu. Admir Uruçi gabon në një kthim të topit prapa dhe nga kjo përfitoi Valmir Kurti i cili arriti të shënonte në portën e mbrojtur nga Eldin Cafi.

Brenda pak sekondash e njëjta gjë përsëritet në portën tjetër dhe Gjergj Kola tregohet i vëmendshëm duke shënuar përballë portierit Avenir Dani. Loja duket se u ndez dhe pak minuta më vonë Kola do të shënonte sërish në portën e veteranëve të Vllaznisë dhe si rrjedhojë pjesa e parë do të mbyllej me avantazhin 2-1 në favor të ekipit të Medias.

Pjesa e dytë nis me një vrull nga veteranët të cilët shënojnë dy herë me anë të Edmond Doçit dhe si rrjedhojë e kalojnë rezultatin në favorin e tyre. Megjithatë kjo do të zgjaste pak sepse Gjergj Kola do të shënonte sërish për gazetarët, goli i tretë personal për të, duke barazuar shifrat në 3-3.

Në minutat e fundit, ka përpjekje nga të dy ekipet, ku shanset më të mira i kanë gazetarët, por nuk do të kishte gola të tjerë dhe si rrjedhojë i gjithë takimi do të mbyllej në shifrat e barabarta 3-3. Pas javës së tretë, Veteranët e Vllaznisë kanë arritur të grumbullojnë 4 pikë, ndërsa ekipi Media Shkodër merr pikën e parë në kampionat.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”