✍️ Shkruar nga “Shkodra Sport”

Pas shumë përpjekjesh, ekipi i Bashkisë Shkodër ia ka dalë të marrë fitoren e parë në kampionatin 5×5 Masters që po organizohet nga Shoqata Rajonale e Futbollit Shkodër në partnerit edhe me Shoqatën “Pro Sport”. Ai mbrëmjen e sotme ka fituar me rezultatin 5-2 ndaj ekipit të Spitalit Rajonal Shkodër.

Në fakt pjesa e parë ka qenë shumë e ekuilibruar dhe të krijoi përshtypjen se do të kishte rivalitet deri në fund, por duket se në pjesën e dytë, “bateritë” ranë për lojtarët e Spitalit dhe në fushë vendosi edhe përvoja e lojtarëve të tillë si Auron Miloti dhe Rudin Beka, të dy ish- futbollistë të Vllaznisë që shënuan secili nga një dygolësh në këtë ndeshje.

Në pjesën e parë ka qenë Sokol Jubica që ka shënuar dy herë për ekipin e Spitalit, por ka barazuar Bashkia me golat e Bekës dhe Milotit dhe kjo pjesë në këtë mënyrë u mbyll në shifrat e barabarta 2-2. Në të dytën do të jetë sërish kjo dyshe Beka- Miloti që do të shënonte sërish, ndërkohë që do kishte vend edhe për një gol të Eugen Dizdarit dhe gjithçka është mbyllur me rezultatin 5-2 në favor të ekipit të Bashkisë Shkodër.

Ai në këtë mënyrë merr tre pikët e para në këtë kampionat, por me performancën e bërë në ndeshjen e sotme tregoi se do të jetë një nga ekipet që do të luftojë deri në fund për t’u shpallur fitues i këtij turneu.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”