Trajneri i Kombëtares Shpresa, Alban Bushi, ishte i ftuar në studion e emisionit “Sport News” në televizionin “News 24”, ku ndër të tjera foli dhe për ecurinë e deritanishme në Kategorinë Superiore, duke shprehur simpati për Egnatian e Shpëtim Duros.

“Egnatia nuk e diskuton Europën, por mund të luftojë dhe për kampion. Kam besim te Duro, Egnatian mund ta shikojmë dhe kampion. Është ekip që do t’i rrijë gjithmonë mbrapa Partizanit dhe Tiranës.

Kolela e di më mirë situatën brenda grupit të Partizanit. Mendoj që ka lojtarë të mirë. E kam parë në një miqësore me Teutën që ka dalë 1-1 dhe kam menduar që do të jetë pretendent. Mu duk ekip shumë i organizuar, por ha gol shumë kollaj dhe shënon me shumë vështirësi. Nuk krijon shumë raste me ekipet me vogla. Nuk ka lojtarë në kampionatin shqiptar që të bëjë diferencën. Grup deri tani ka Egnatia.

Unë e di që Gega e ka nxjerrë kampion Partizanin. Italianët janë shumë të mirë, kam punuar me De Biazin për 6 vjet, sjellin një kulturë të re punën. Janë të zgjuar inteligjentë.

Vllaznia më duket si Napoli, që luan futboll të bukur, por në fund del Tirana kampion. Edhe ndaj Erzenit, 2-0, 2-2. Gjithmonë Shkodra të le të luash futboll. Do të doja të dilte Vllaznia kampion, por në 5 javët e fundit i kalon Tirana lartë”, u shpreh Alban Bushi.