Fabio Kanavaro është një prej emrave më të njohur në futbollin botëor në vitet 2000. Ish-kapiteni i Italisë do të mbahet mend gjithmonë mbi të gjitha për paraqitjen në Botërorin 2006. Por përveç asaj ka luajtur në nivelet më të larta të futbollit botëror me klube si Parma, Juventusi e Real Madridi.
Sigurisht, gjatë kësaj karriere ai është përballur me emrat më të njohur të futbollit botëror dhe ka provuar të ndeshet me disa nga sulmuesit më të fortë në qarkullim. Por në një lidhje direkte në TikTok ku u është përgjigjur pyetjeve të tifozëve, Kanavaro ka çuditur të gjithë kur i është përgjigjur pyetjes se kush ka qenë kundërshtari më i vështirë më të cilin është përballur.
Në një periudhë kur ai ka pasur përballë emra sulmuesish si Ronaldo “Fenomeni”, Shevçenko, Batistuta, Vieri, Inzagi apo Toti, ai ka çuditur të gjithë duke deklaruar se problemi i tij më i madh kishte qenë suedezi Kenet Anderson i cili luante me Bolonjën në ato vite.
“Një lojtar i Bolonjës, i gjatë 1,95 metra dhe shumë i fortë në lojën në ajër. Unë mendoj se në 100 dyluftime në ajër, me të mund të kem kapur maksimumi një apo dy herë topin, ai ishte një fenomen”, shpjegoi Kanavaro vështirësinë e madhe që kishte sa herë gjendej përballë Bolonjës. /vipsport/