Nga nisja e kampionatit spanjoll kanë mbetur vetëm 6 ditë. Të premten e ardhshme është Sevilja ajo që çel siparin e La Ligës, por mediat spanjolle kanë ngritur alarmin me federimet e lojtarëve. Problemet e mëdha të klubeve me “fair play” Financiar rrezikon që shumë prej afrimeve të bëra nga klubet në merkaton e verës të përfundojnë në tribuna pa mundur të regjistrohen për javën e parë të sezonit.

Në fakt merkatoja e klubeve mbyllet më 2 shtator dhe kohë ka, por askush nuk e mendon Barcelonën në fushë më 13 gusht pa Levandovskin. Por problemet financiare të klubeve mund të bëjnë që situata të mos jetë aspak e këndshme.

Siç raporton e përditshmja spanjolle “Marca”, deri më tani, 20 klubet e La Ligës kanë nënshkruar me më shumë se 80 lojtarë. Por nga këta lojtarë vetëm 40% e tyre janë regjistruar ende brenda afateve dhe do të kenë mundësi të zbresin në fushë javën e ardhshme kur të nisë sezoni i ri.

Gazeta spanjolle u referohet të dhënave zyrtare të të regjistruarve në La Liga deri të enjten e kaluar. Dhe natyrisht që shifra të tilla, ku 60% e të afruarve nga klubet nuk janë regjistruar, tregojnë se diçka po ndodh.

Këtu futen të gjithë lojtarët më të rëndësishëm të afruar në La Liga, duke nisur me blerjet shumëmilionëshe të Barcelonës, Rafinja, Kunde, Levandovski.

Problemi i madh i klubeve është se që nga nisja e sezonit, deri në mbylljen e merkatos do të luhen tri javë kampionat dhe mungesa e federimit të lojtarëve nga klubet e La Ligës do të krijojë një kaos.

Gjithnjë sipas gazetës spanjolle në fjalë, klube si Barcelona, Betis, Sevilja, Vajekano, Vajadolid e Vijarreali nuk kanë federuar asnjë lojtar. Krejt ndryshe me Realin që ka mbyllur gjithçka me Tçuomenin dhe Rydigerin.