Ndeshja e sotme ndaj Partizanit pritej me interes dhe për këtë arsye kishte një numër të konsiderueshëm sportdashësish të pranishëm në shkallët e pallatit të sportit “Qazim Dervishi”. Por Vllaznia ka zhgënjyer duke humbur në shifrat 69-74 ndaj të kuqve. Pas ndeshjes, për mediat nga kampi shkodran ka folur pikërisht kapiteni Ervin Berdica i cili është shprehur: “Një humbje që na “djeg” shumë sepse kemi humbur në fushën tonë dhe për më tepër, ndaj një rivali direkt. Unë personalisht ia kisha frikën kësaj ndeshje dhe jo më kot e parandjeja se mund të humbnim.

Arsyeja është se në shkodranët shpeshherë ndeshje të tilla i marrim lehtë. Fituam në ndeshjen e kaluar me Teutën në Durrës dhe menduam se tash mund të fitojmë ndaj kujtdo por jo. Që nga unë i pari dhe deri tek lojtari më i fundit, shfaqëm shenja vetëkënaqësie dhe nënvlerësimi për kundërshtarin dhe kjo na kushtoi. Nuk na falet një gjë e tillë. Gjithsesi, ne jemi brenda objektivit tonë për të qenë në mes katër ekipeve më të mira dhe duhet të vazhdojmë të kemi pretendime sepse patjetër që Vllaznia duhet të jetë në finalen e këtij sezoni”

© shkodrasport.com