Zakonisht i fundit që e braktis anijen është kapiteni, por në futboll gjërat duket se ndryshojnë. Pas situatës kaotike financiare te Luftëtari, tashmë lojtarët kanë kaluar nga fjalët te veprat. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se hapin e parë për të paditur klubin gjirokastrit në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF e ka bërë pikërisht kapiteni i skuadrës, Behar Ramadani.

Mund të duket e çuditshme për vetë pozicionin që shkodrani ka te bluzinjtë, por tashmë është fakt se ai është zyrtarisht i pari lojtar që hedh në gjyq Luftëtarin. Ramadani luan sezonin e tij të shtatë në Gjirokastër dhe pas moskorrektesës financiare nga drejtuesit, e ka parë të arsyeshme që ditët e fundit të depozitojë në FSHF kërkesën.

Tashmë, Ramadani sipas të gjitha gjasave do të fitojë gjyqin me Luftëtarin dhe njëkohësisht do të shpallet lojtar i lirë. Gjithsesi, mbetet për t’u parë reagimi i klubit gjirokastrit, pasi tashmë është një situatë ku palët do të luajnë me afatet ligjore. Çdo gjë mbetet në dorë të DHZK-së.

TË TJERËT Në këtë periudhë ka pasur të tjerë lojtarë, të cilët janë interesuar në FSHF për të paditur Luftëtarin. Mirëpo, asnjë prej tyre nuk e ka bërë hapin e Ramadanit. Portieri Shkëlzen Ruçi mësohet se, pasi ka njoftuar klubin, ka vënë në dijeni edhe FSHF-në për pagat e pamarra, duke kërkuar prishje me mirëkuptim të kontratës.

Ruçi është nën kontratë me Luftëtarin edhe për dy sezone, ndërsa kapitenit Ramadani i skadon marrëveshja në verën e vitit 2019. Shkodrani ka pasur disa oferta këtë periudhë, teksa një prej klubeve është Tirana. Ndërkohë, në stërvitjen e djeshme të Luftëtarit portieri Ruçi ka munguar, por në klub konfirmojnë se ka marrë leje dhe sot do të jetë i pranishëm si zakonisht. Këto ditë do të jenë vendimtare, pasi klubi ka premtuar shlyerjen e pagave të prapambetura, madje edhe premio nëse marrin pikë kundër Partizanit.