Bojkoti u ndal atëherë kur duhej për Vllazninë, pasi zyrtarisht u shëruan që të gjithë të infektuarit nga “COVID-19”. Tomas Brdariç ka më në fund një grup të plotë dhe tashmë nuk u mbetet tjetër veçse të luftojnë në dy fronte: nga Kupa në kampionat.
Është Erdenis Gurishta ai që analizon situatën e kuqebluve, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”. Kapiteni sqaron se koha pa futboll nuk ishte e lehtë, ndërsa hapur e thotë që nuk do të këtë “blof” në start.
Futbolli nis zyrtarisht të dielën me Kupën e Shqipërisë dhe të mërkurën ka kampionat. Si u prit ky lajm te Vllaznia?
Të gjithë po e presim me padurim fillimin e sezonit, sepse nuk mund të mjaftohesh vetëm me stërvitje dhe miqësore. Rritmi dhe angazhimi i lojtarëve është shumë më i lartë kur luan për Kupë e kampionat.
Ia kishit frikën zgjatjes të bojkotit?
Mendoj se nuk kishte më kuptim që të zgjaste bojkoti. Çdo ditë që kalonte do të ishte në dëm të futbollistëve dhe futbollit, ndaj jemi të lumtur që erdhi ky vendim.
A është gati Vllaznia për të zbritur në fushë?
Jemi përgatitur shumë, ndaj nuk ka si të mos jemi gati për ndeshjen e parë. Lojtarët e njohin më mirë njëri-tjetrin dhe tani gjithçka mbetet për t’u parë sapo të nisë aktiviteti.
Java e parë ju vendos përballë Apolonisë, ekip me të cilin jeni ndeshur në miqësore. Mund të quhet kundërshtar i kalueshëm?
Kemi zhvilluar një miqësore me Apolonisë, por siç e thashë ato nuk kanë të krahasuar me kampionatin. Ne e vlerësojmë kundërshtarin. Kanë krijuar një ekip me lojtarë të rinj në moshë, që duan të tregojnë vlerat e tyre.
Fitorja, objektivi i vetëm për këtë takim?
Sigurisht që objektivi i vetëm është fitorja, por që të arrijmë te fitorja duhet të vrapojmë, të luftojmë dhe ta meritojmë. Nuk duhet të mendojmë se kundër Apolonisë do ta kemi të lehtë. Ndryshe do të gabonim që në nisje.
Fituat “betejën” më të rëndësishme, atë me Koronavirusin. Si është gjendja e Gurishtës dhe 10 lojtarëve të tjerë që ishin prekur?
Situata ishte vërtet shqetësuese në fillim, pasi u infektuan shumë lojtarë dhe nëse do të kishte filluar që atëherë kampionati, mund të kishim probleme të mëdha, por tashmë ia hodhëm. Jemi shëruar që të gjithë dhe jemi të gatshëm për të luajtur e shijuar futbollin.
Sa larg mund të shkojë kjo Vllazni këtë sezon?
Objektivi është që t’i marrim ndeshjet një nga një dhe të mundohemi që të marrim maksimumin. Pastaj me kalimin e javëve do ta kuptojmë më mirë forcën tonë dhe do të kemi një panoramë të qartë të asaj që mund të arrijmë.