Erdenis Gurishta, kapiteni i Vllaznisë, në një intervistë për gazetarin Altin Sulçe në “Sport Magazine”, në Ora Sport, ka komentuar ecurinë e deritanishme të klubit shkodran që kryeson Superligën me 19 pikë pas 8 ndeshjes.
“Realisht, të them të vërtetën, nuk e kishim menduar këtë nisje shumë të mirë të kampionatit pasi vjet ishim në ujëra të turbullta, rrezikonim rënien nga kategoria dhe shkuam në play off.
Por e kishim parashikuar se do të jetë një ekip shumë i mirë sivjet sepse kanë ardhur lojtarë cilësore por tani po na del më mirë pasi nga java në javë ekipi po konsolidohet dhe po shihet edhe në fushën e lojës, përveç pikëve po zhvillojmë edhe lojë të bukur”, tha Gurishta.
Altin Sulçe: Cili është sekreti i Vllaznisë, si keni arritur të harmonizoni të gjitha repartet?
Erdenis Gurishta: “Meritë kryesore mendoj se është e stafit teknik. Siç dihet, trajneri Brdariç ka shumë vlera. Ai përveçse na motivon në fushën e lojës, na motivon edhe jashtë fushe.
Përveçse është një trajner është edhe një shok. Mundohet të flasë me të gjithë lojtarët, t’i marrë maksimumin dhe mendoj se ky është sekreti. Jemi një grup shumë i mirë”.