Java e gjashtë e Superiores mbyllet me dy takimet që luhen në Durrës dhe Vlorë. Në “Niko Dovana” do të përballen Skënderbeu dhe Teuta, në një ndeshje që është speciale për trajnerët e të dyja ekipeve.

Shkëmbi drejton durrsakët kundër Skënderbeut, ekipit “mëmë” ku ka mbajtur shiritin e kapitenit dhe ka fituar shumë trofe. Nga ana tjetër është Shehi kundër vendlindjes, kundër ish-shokëve të tij si Shkëmbi, Osmani, Bicaj e Progni.

Flamurtari në Vlorë pret Kastriotin e vendit të parafundit. Nuk do të jetë shëtitje, pasi krutanët do të mundohen ta marrin një pikë. Për skuadrën e Dajës fitorja është i vetmi objektiv dhe pas dy humbjeve radhazi është detyrim.

Për këtë ndeshje Flamurtari nuk ka të gatshëm Allën, i cili nuk është rikuperuar. Rikthehet Hysenaj, i cili do e nisë nga minuta e parë. Edhe Kastrioti në Vlorë nuk ka të gatshëm Çelën e pezulluar. Shehi zë vendin e tij, ndërkohë që rimerr vendin e tij në mesfushë Çutra.