Franci Ymeralilaj ka pasur një ditë kohë për të harruar atë karton të kuq në sfidën me Partizanin, ndonëse deri në ato momente, në fushë po bënte shumë mirë, në linjën e djathtë, por edhe para mbrojtjes.

Në prononcimin për “Panorama Sport” që ka dhënë pas ndeshjes, i pyetur për rastet e penalltisë së fituar nga Çinari, por edhe kartonin e kuq, Ymeralilaj tha se Jorgji ka gabuar.

EPISODET – “Për Jorgjin kam respekt, sepse e mbajnë për gjyqtarin më të mirë në Shqipëri, por ishte shumë afër aksionit dhe akordoi penallti, ndërkohë që Çinari me qëllon me bërryl në fytyrë dhe vetë simulon. Gaboi. Jo vetëm kaq: te penalltia e Kojiçit, portieri lëviz nga vendi dhe penalltia duhet të kthehej mbrapsht nëse zbatohej rregullorja.

Nuk e di, por më e rëndë ishte me Hakajn, që afrohet vetë me kokë dhe anësori ishte shumë afër, por edhe kryesori, që për mua është nga më të mirët në vend. Ishin raste që vendosën ndeshjen dhe nuk është mirë kjo gjë, pasi çdo javë Bylisi mundet me raste të dyshimta. Këtë gjë e them si kapiten, por edhe si mallakastriot”.

PENALLTITË – “Të hapin mediat statistikat dhe të shohin, nuk ka ekip që t’i mohohen penallti më shumë sesa ne. Mbi dhjetë prej tyre na janë mohuar, janë flagrante. Apo t’i jepen kundër 5-6 penallti që nuk janë fare.

Ne do respektojmë garën, kemi ekip shumë të mirë, punojmë çdo ditë dhe do të dalim shumë shpejt nga kjo situatë që është më shumë psikologjike”.