Shkëlqim Muça, i përhershmi i “Rubrika Sportive” në RTSH ka analizuar gjithçka që ka ndodhur në javën e 18-të në Kategorinë Superiore.

Vllaznia-Laçi: Fitore e merituar e kurbinasve – Ndeshjen e fitoi skuadra që luaji më mirë. Vllaznia nuk kishte atë shkëlqimin që kemi parë. Pati një lojë më të vakët, ndoshta dhe nga mungesat, por edhe trajneri kishte menduar ta ndryshonte skemën. Mendimi im është që krijoi shumë hapësira mbrapa.

Laçi e fitoi ndeshjen në mesfushë, ishte solide. Deliu, Shehu dhe Lushkja bënë një punë të mirë. Edhe në qendër të mbrojtjes janë të konsoliduar. Laçi ishte i disiplinuar taktikisht. Vllaznia ka një moment jo, ashtu siçdo skuadër tjetër mund të ketë”.

Bylis-Partizani: Fitore e vështirë, shumë e rëndësishme – “Partizani tregoi grintë, pavarësisht se nuk luajti mirë. Është një fushë që po u dorëzove në dyluftime, të merr lojën. Mori një ndeshje të vështirë, shumë të rëndësishme, e meritoi. Bylis, kudo që shkon, luan për ta fituar ndeshjen.

Mendoj se duhet të dish se sa kapacitet ka skuadra, Bylisit i bën punë edhe një pikë. Strategjia e ballshiotëve ishte ndërtuar gabim, Partizani e meritoi, po punon me profesionalizëm, po u jep mundësinë lojtarëve që janë në formë. Tashmë është një skuadër e kompletuar, me lojtarë dhe me pikë”.

Teuta-Apolonia: Fitore e vuajtur – “Skuadrat që kanë si qëllim për të marrë minimumin, të hapin punë. Apolonia, me trajner italian, që janë të apasionuar pas një loje të tillë, deri diku ia arriti qëllimit. Në pjesën e parë edhe mund të kishte shënuar, atëherë do të ishte akoma më e vështirë. Në këto llojë ndeshjesh, rezultati duhet zhbllokuar sa më shpejt që të jetë e mundur, duke bërë që ekipi të çlirohet. Durrsakët kanë lënë pikë me skuadra të tilla”.

Tirana-Skënderbeu: E kishte për detyrë fitoren – “Duke shënuar shpejt, bën që të jesh ekip më i lirshëm. Tirana shënoi që në pjesën e parë, por nuk i lejohet që toleroi në të dytën. Fitoi një ndeshje, të cilën e kishte për detyrë që ta fitonte, sepse është shumë larg. Fat për trajnerin është se iu plotësua skuadra”.

Kukësi-Kastrioti: “Një ndeshje zhgënjyese për Kukësin, ndoshta nuk e priste një lojë kaq të organizuar të Kastriotit në fazën difensive. Krutanët morën një trepikësh të merituar, pavarësisht lojës sulmuese. Shënuan dhe pastaj e administruan lojën duke luajtur fort. Kukësi është një ekip i lehtë, pa shumë grint, në mesfushë mendoj se kanë dy lojtarë të improvizuar”.