Një fitore aspak e lehtë për Teutën në këtë javë të 18-të të Kategorisë Superiore, 1-0 përballë Apolonisë në “Niko Dovana”. Volum loje, mungesë konkretizimi. Për të komentuar situatën që po kalon skuadra bregdetare, ka menduar Dejvi Bregu, i cili në një lidhje direkte me “Rubrika Sportive” në RTSH, ka theksuar:

“Me Apoloninë ishte një ndeshje e vështirë, sepse dihet tashmë që skuadra të tilla të hapin problem. Këto ndeshje duhen zgjidhur shumë shpejt, unë i kisha mundësitë, por Harizaj nuk më lejoi”.

“Afrimet që janë bërë në skuadër kanë dashur kohën e vet për tu përshtatur. Unë, Krasniqi dhe Daja vijmë nga një futboll ndryshe, kemi pasur ato problemet tona, mund të kishim bërë më mirë. Por besoj se në vazhdim do konsolidohemi akoma më shumë”.

“Deri tani na ka munguar vazhdimësia. Nëse nuk do të kishim ato barazime radhazi, sidomos në shtëpi, tani nuk do të flisnim për këtë renditje. Por futbolli i ka të trija rezultatet dhe shpresoj që me këtë fitore tonën dhe me humbjen e Vllaznisë, kampionati do të marrë një rrjedhë tjetër dhe gara do të bëhet më e bukur”.

“Kam pas vështirësi në fillim të sezonit, edhe përshtatja ka bërë të vetën. Por pas ndeshjes me Partizanin performance është përmirësuar. Me rritjen e performancës, shpresoj të vijnë dhe golat”.

“Sulmi? Unë me Krasniqin kuptohemi shumë mirë, por duhet të harmonizohemi me pjesën tjetër të skuadrës”.

“Skënderbeu? Është një klub i madh, pavarësisht situatës në të cilën ndodhet. Shpresoj të ngrihet në renditje, por pas ndeshjes me ne”.