Valentino Murataj mund të jetë kapiteni i radhës që largohet nga Partizani. Mesfushori prej sezonit të shkuar, kur të kuqtë u shpallën edhe kampionë të Shqipërisë, është titullar fiks dhe një nga pikat kyçe të ekipit.

Së fundmi, pas largimit të Telushit, ai ka marrë edhe shiritin e kapitenit, por ka shanse që të mos e mbajë për shumë kohë për shkak të trajektores së çuditshme që merr herë pas here merkatoja e Partizanit.

Tuni në Zvicër ka shfaqur interes për Muratajn, por edhe klube të tjera në Azerbajxhan e Turqi do të ishin gati ta afronin ishmesfushorin e Bylisit, që në fakt është prodhim i akademisë së Partizanit.

Murataj ka edhe një vit në kontratë dhe varet nga klubi i kuq, por duket se këta të fundit kanë dhënë një miratim paraprak që nëse lojtari ka oferta më të mira, mund ta mirëkuptojnë për ta lënë të lirë ose për ta shitur në këmbim të një shifre jo të madhe.

Ndërkohë, sipas “Panorama Sport” Partizani po studion afrimin edhe të një tjetër numri 8 për të plotësuar ekipin pas ikjes së Muratajt.

Nga ana tjetër, Taipi dhe Maget janë dy lojtarë që gjithashtu mund të zënë vend në mesfushën e të kuqve. Gjithashtu, Bilali është një alternativë për këtë repart.

Murataj ishte titullar edhe në dy ndeshjet në Champions nën drejtimin e Zekiçit dhe veçanërisht në përballjen e parë ka zhvilluar një paraqitje mjaft të zjarrtë.