Sezoni nuk është mbyllur ende për Skënderbeun që tashmë pasi kanë arritur mbijetesën, që ishte dhe objektivi kryesor i bardhekuqve, janë në prag të një fitimi të një trofeu. Trofe ky që ka vite që i mungon Korçës.

Të hënën korçarët e drejtuar nga Migen Memelli do të luajnë finalen e Kupës së Shqipërisë, me dëshirën për të bërë më të mirën dhe për ta sjellë trofeun në Korçë. Këtë mendim ka kapiteni i Skënderbeut, Jorgo Meksi, i cili nuk kërkon të lihet pas një trofe që do t’u jepte mundësinë korçarëve të merrnin një kënaqësi të madhe nga ky sezon i vështirë.

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, Meksi tregon sezonin e mbyllur me sukses pas shumë vuajtjesh dhe situatash jo fort të këndshme.

“Ka qenë një sezon i vështirë dhe i zgjatur nga shumë vuajtje dhe momente të vështira. Kanë qenë momente të cilat na kanë bërë shpesh të mendojmë se sa do të zgjasin dhe kur do t’u vijë fundi.

Për fat të mirë, gjithçka është mbyllur më së miri për ne nga momenti kur ndodheshim të pashpresë në fund të klasifikimit. Besoj se kemi bërë një pjesë të dytë të sezonit mjaft të mirë dhe jemi shpërblyer për të gjitha sakrificat e bëra.

Besoj se kemi bërë kthesën në një ndeshje shumë të vështirë dhe që pakkush e mendoi se do të dilnim nga ajo situatë në të cilën ishim zhytur. Por, ajo fitore ndaj Partizanit në transfertë na dha besimin dhe na rriti optimizmin. Edhe trajneri na ‘shkundi’ pasi gjendja jonë ishte gati në dorëzim. Na ka bërë moral më shumë se një orë në një moment pas ndeshjes me Kastriotin”, theksoi fillimisht Meksi.

KUPA – Më pas, i ndalur te ndeshja e fundit e sezonit, Meksi është i bindur se Skënderbeu i ka të gjitha mundësitë t’ia dalë më së miri në këtë takim dhe të bëjë ndeshjen e jetës për ta sjellë Kupën në Korçë. “Është një trofe, një finale dhe një ndeshje e tillë që asnjëherë nuk mund të luhet pa motivimin e duhur.

Jemi të karikuar dhe të motivuar për të bërë mirë në këtë ndeshje. Duam të bëjmë ndeshjen e jetës dhe të sjellim në Korçë atë trofe pasi ka vite që i mungon. Mendoj se i kemi të gjitha mundësitë. Kemi një grup cilësor dhe mbi të gjitha një trajner që di të na marrë maksimumin. Do të jetë me të vërtetë një ndeshje për t’u parë pasi nga krahu tjetër edhe Vllaznia është një ekip që meriton respekt”, vijoi Meksi.

E ARDHMJA – Nuk ka dashur të zgjatet shumë tek e ardhmja kapiteni i Skënderbeut i cili ka qenë tejet i përqendruar tek finalja. “Të them të drejtën, po mendoj vetëm për finalen. Gjithsesi, me rikonfirmimin e Memellit nuk e shoh të pamundur qëndrimin tim edhe për një sezon”, mbylli Meksi.