Kukësi dhe Vllaznia luajnë nesër në 13:45. Sfida e “Arena Egnatia” vjen në kuadër të javës së gjashtë të Superligës shqiptare, me dy skuadrat që kanë treguar formë të mirë këtë sezon.

Në prag të kësaj sfide ka folur edhe kapiteni i verilindorëve, Gjelbrim Taipi. Mesfushori tregon se i kanë studiuar pikët e dobëta të kundërshtarëve, duke kërkuar tri pikët në një ndeshje që pritet të jetë e luftuar.


Gjelbrim, ju pret një ndeshje e vështirë me Vllazninë. Si e parashikoni?

Në këto pesë javë kemi parë që Vllaznia po prodhon futboll të bukur, ka ruajtur boshtin. Mendoj se është një ndër ekipet më të mira të kampionatit. Trajneri e ka përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme. E kemi studiuar Vllazninë dhe i dimë pikat e saj të dobëta. Shpresoj të dalim me sukses.


Kukësi është ndër skuadrat që bën lojën më të bukur. Si është gjendja aktuale e skuadrës?

Në pesë ndeshjet e para kemi treguar që prodhojmë futboll të mirë, edhe pse në disa ndeshje fati nuk ka qenë me në. Do të jetë takim shumë i bukur, sepse edhe Vllaznia luan hapur. Ekipi që do të bëjë më pak gabime. do të fitojë.


Pas ndeshjeve të Kombëtares, trajneri është shprehur se grupi është më i bashkuar…

Kemi pasur më shumë kohë për të qenë bashkë, jemi afruar shumë me njëri-tjetrin. E kemi parë edhe në ndeshjen me Partizanin që kemi festuar së bashku, ne në fushë dhe ata në stol. Grupi e bën fuqinë.


Ndaj Vllaznisë, do të jetë takimi i fundit jashtë, pasi po përfundon stadium i ri…

Është një ndjesi e veçantë për shumicën e futbollistë që do të luajnë në “Zeqir Ymeri”. Do të njihemi me tifozët tanë, pasi për ta ka qenë shumë e vështirë gjatë këtyre dy-tre viteve për ta ndjekur ekipin e zemrës. Tani e tutje do të luajmë në Kukës dhe tifozët do të jenë një shtysë e madhe për ne.