Kapitenia e Vllaznisë së femrave Esmeralda Franja, ka dhënë një intervistë për emisionin sportiv “Panorama Sport” në “Panorama TV”. Franja foli për rrugëtimin e saj në grupet e Champions Ligës, për marëdhëniet me vajzat dhe gjithashtu zbuloi objektivat e ekipit.

“Kemi filluar përgatitjet për sezonin e dytë të kampionatit të femrave, po zhvillojmë ndeshjet e Kupës ku jemi në gjysmëfinale kundër ekipit të Partizanit dhe ndeshjen e parë e kemi fituar 7-0 dhe nesër luajmë ndeshjen e kthimit. Mendoj që ka disa vite që ekipi i Fierit na rivalizon sepse renditet edhe në vendin e dytë, por ne jemi kampionë.

Atmosfera në ekip është shumë e mirë, vëmendja është tek ne dhe po punojmë fort. Eksperienca në grupet e Champions Ligës ishte e mirë, kemi zhvilluar ndeshje të mira dhe luajtur ndaj ekipeve të forta, ata kanë një buxhet më të madh se ne dhe investojnë për të shkuar në finalen e kompeticionit por ne ja arritëm qëllimit që donim, të merrnim eksperiencës që do na shërbejë në të ardhmen.

Ekipi i Çelsit ishte më i mirë, pasi ka mundur Realin dhe PSG-në. Na u duk vetja si në ëndërr kur shënuam kundër Realit, nuk po e besonim. Kur u eliminuam trajneri na tha që duhet të punojmë fort që të jemi një ditë gati për ti rivalizuar. Me të gjitha vajzat shkoj shumë mirë në ekip.

Jam e lumtur që është kthyer vëmendja tek futbolli i femra, i bëj thirrje Federatës për të investuar sepse ndryshe si përballojmë ekipet e Europës. Objektivat janë fitimi i kampionatit dhe Kupës dhe të mendojmë për Europën”, u shpreh ajo për “Panorama TV”.