Karateistja e talentuar lezhjane Mikela Skandaj, e ka mbyllur në mënyrën më të bukur vitin 2025, duke fituar dy medalje të arta në garat kombëtare që u zhvilluan në Verona të Italisë.
Talentja nga Lezha konkurroi në dy disiplina të ndryshme, kata dhe kumite, në peshën deri në 60 kg, duke arritur të ngjitet dy herë radhazi në podium dhe të rrëmbejë dy medalje të arta. Në këto gara, Mikela tregoi edhe një herë performancën e saj të jashtëzakonshme, duke dominuar bindshëm kundërshtaret.
Por momenti më i veçantë për tri herë nënkampionen e Europës ishte ftesa në darkën e fundvitit, ku u vlerësuan sportistët më të mirë të vitit 2025. Në këtë mbrëmje prestigjioze, Mikela Skandaj u shpall karateistja më e mirë e skuadrës veroneze.
Përveç certifikatës së vlerësimit, Mikela mori edhe duartrokitjet e shumta të publikut, i cili tashmë e njeh mirë yllin e karatesë italiane.


