Kastrioti pësoi ditën e djeshme një humbje që mund të rëndojë shumë në bilancin e fundit të sezonit. Krutanët u mposhtën 0-2 nga Skënderbeu dhe tashmë janë më të përfshirë se kurrë në garën e mbijetesës. Sakaq, kalendari i javës së ardhshme, e vendos Kastriotin përballë Tiranës teksa mungesat për trajnerin Ramadan Ndreu do të jenë të shumta.

Kështu, nuk do të jetë Prodani i ndëshkuar me karton të kuq, ndërsa Shkalla ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.

Por, ajo që shqetëson më shumë është gjendja e Sokol Nezirit. Mbrojtësi i krahut të djathtë pësoi një dëmtim të rëndë në krah, madje u desh ndihma e ambulancës për ta shoqëruar.

Sinjalet e para janë që Neziri të ketë mbyllur këtë sezon të cilit i mungojnë edhe pesë ndeshje për t’u finalizuar. Në këtë formë, situata te Kastrioti është shumë e rënduar dhe e vështirë për t’u menaxhuar, megjithatë krutanët janë të detyruar të luftojnë deri në fund për mbijetesën në elitë. /VipSport/