Vllaznia ka nisur të marrë formë pak nga pak dhe tashmë, të hënën do të fillojnë përgatitjet e këtij ekipi për sezonin e ri. Në krye të kuqebluve është vendosur trajneri Migen Memelli, i cili pritet me interes për t’u parë se cilat do të jenë idetë e tij për sa i përket rreshtimit, formacionit apo edhe mënyrës së lojës.

Më parë, trajneri i kuqebluve, Memelli, në ekipet që ka drejtuar, ka luajtur më shumë me rreshtimin 5-3-2, skemë kjo që ndoshta pritet të injektohet edhe tek Vllaznia, gjithmonë në bazë të kundërshtarëve.

Nëse vitin e fundit, Vllaznia “çaloi” edhe për shkak të dëmtimeve, ku ishte e detyruar që të përdorte formacionte të ndryshme nga ajo që shkodranët kishin punuar gjatë gjithë kohës, tashmë Memelli kërkon t’u bëjë ballë, duke marrë masa me afrimet në merkato.

Nga një vëzhgim i “Shkodra Sport” në skemat e përdorura prej tij, zgjidhja e Memellit pothuajse në 80% të ndeshjeve ka qenë skema 5-3-2, që mund të ndryshojë edhe në 3-5-2. Varianti 5-3-2 duket se do të jetë skema kryesore, me të cilën Memelli pritet që të nisë aventurën e tij si trajner i Vllaznisë, por gjithsesi mbetet për t’u parë gjithçka në vazhdim.

Në fakt, 5-3-2 është një rreshtim defensiv, por gjithçka do të bazohet tek merkatoja që do të kryejë Vllaznia. Kjo skemë preferohet nga Memelli për shkak të balancave që krijon në fushën e lojës.

Ndoshta sipas Memellit, një formacion me një rreshtim të tillë ka më shumë balancim në të dy fazat e lojës. Ky rreshtim mund të mbështetet te dy shtylla kryesore, ato të linjave anësore. Megjithatë, fillimisht duhet plotësuar grupi dhe pastaj, Migen Memelli do të nisë provat e tij, duke filluar nga dita e hënë kur do të jetë seanca e parë stërvitore e Vllaznisë.
Maringlen ZHIVANI