Kastrioti e ka ruajtur distancën me ndjekësit, duke qenë 6 pikë larg zonës së ftohtë dhe 5 nga vendi i tetë që të çon në “play out”. Pika e marrë në Shkodër u shërbeu krutanëve edhe për moralin, pasi ndalën kryesuesit, ndërsa të shtunën presin Bylisin në stadiumin e Kamzës.

Për ndeshjen me Vllazninë, sfidën e radhës dhe vazhdimësinë, qendërmbrojtësi Silvestër Shkalla foli dje për “Panorama Sport”, duke u dhënë edhe një përgjigje pretendimeve të kapitenit shkodran, Gurishta.

Silvestër, sa e rëndësishme ishte pika e marrë në Shkodër?

Normalisht, ishte shumë e rëndësishme, pasi erdhi pas dy rezultateve zhgënjyese. Çdo pikë e marrë për ekipin tonë bëhet edhe më e rëndësishme kur ndodh ndaj ekipeve që janë lart në tabelën e klasifikimit.

Mendoni se kishit mundësi të merrnit më shumë se barazimi?

Ne patëm shanset tona, madje më tepër se kundërshtari. Mendoj se do të kishim marrë maksimumin, po t’i kishim shfrytëzuar më mirë mundësitë e dhëna. Megjithatë, tashmë duhet ta lëmë pas krahëve dhe të mendojmë për ndeshjen e radhës, që ka shumë rëndësi

.

Gurishta deklaroi se lojtarët e Kastriotit më shumë qëndruan shtrirë në fushë, sesa luajtën futboll. Keni një koment?

Gurishtës mund t’i them që secili ka mendimin e vet. Nuk mund t’ia ndryshojmë dot mendimin askujt.

Përpara keni një tjetër sfidë delikate. Si e shihni përballjen me Bylisin, një skuadër me të cilën ju keni luajtur sezonin e kaluar?

Është një ndeshje e vështirë, pasi kemi përballë një ekip që ka shumë kualitet brenda, ndaj duhet vlerësuar në maksimum.

Sa vendos kjo ndeshje për zonën e ekipeve që luftojnë për mbijetesë?

Nëse ne zbatojmë detyrat siç duhet, besoj do ta kalojmë me sukses edhe këtë sfidë. Ndërsa sa për fatet e sezonit, është ende shumë herët për të folur, pasi ka dhe shumë ndeshje. Për ne është e rëndësishme t’i marrim ndeshjet sipas radhës, sidomos me ekipet që i kemi rivale.

Për momentin jeni komodë në renditje, besoni se me kontigjentin që ka Kastrioti do ta mbajë këtë distancë deri në fund?

Pikët na bëjnë të jemi komodë për momentin, por që të jemi gjatë gjithë kohës të tillë, duhet të mbledhim akoma më shumë pikë. Vetëm duke marrë rezultate pozitive, nuk do të cenohet pozicioni ynë në tabelë.