Kastrioti ka nisur dje javën e dytë të përgatitjeve pa ndonjë surprizë, por në këtë javë që kemi hyrë do të ketë zyrtarizime të tjera.
Kjo javë ka nisur me më pak lojtarë, pasi ata që ishin në provë janë larguar, mes tyre edhe Lala, ndërsa dy nigerianët janë ende aty dhe do të shikohen dhe për disa ditë të tjera nga stafi teknik.
Sakaq, në stërvitje me krutanët është shfaqur edhe golashënuesi i Kategorisë së Dytë, Ledio Xhymerti, i cili realizoi në sezonin e shkuar 20 gola me fanellën e Ilirisë.
Nuk ka ende një konfirmim nëse Xhymerti është në provë apo ka firmosur, megjithatë vijon të stërvitet me krutanët. Sa i takon pjesës tjetër të skuadrës, ajo ka zhvilluar normalisht seancat stërvitore dhe disa ditë për t’u spostuar më pas për fazë përgatitore në një ambient tjetër.
Aktualisht, dy brazilianët, Devid de Silva dhe Agnaldo Moraes, janë ende në Brazil, ndërsa dhe Henry Okebugu ndodhet në Nigeri.
Tani mbetet të shihet kur do të kthehen lojtarët, por shpresohet që grupi të kompletohet deri në nisjen e skuadrës për fazën përgatitore.