Dy gola të Bedri Grecës vendosën sfidën Kastrioti-Dinamo. Ekipi krutan fitoi 2-0 në sfidën e luajtur në stadiumin e Kamzës, duke siguruar tre pikë të arta për objektivin mbijetesë. Djemtë e Emiliano Çelës janë ngjitur në kuotën e 15 pikëve, dhe tani ndodhen vetëm katër pikë poshtë Dinamos, që ka marrë vetëm një pikë në tre takimet e fundit në kampionat.

Miqtë e nisën më mirë ndeshjen dhe dominuan kundërshtarin në 30 minutat e para. Chinedu kishte një shans të artë në minutën e 14-të, teksa tentuan edhe Reginaldo e Bardhi. Kastrioti e mori veten pas minutës së 30-të dhe filloi të shfaqej i rrezikshëm me Grecën dhe sulmuesin Kaina. Dida pati një mundësi të mirë për vendasit në minutën e 37-të.

Kaq për pjesën e parë, teksa Kastrioti e filloi shumë mirë fraksionin e dytë, duke realizuar dy herë brenda 18 minutave. Asiste të Edon Hasanit dhe Henry Okebugwut dhe finalizime të Bedri Grecës.

Katër gola sezonalë në Superiore për 31-vjeçarin. Dinamo tentoi të hapte ndeshjen, por nuk pati forcë, me Kastriotin që menaxhoi shumë mirë avantazhin e dyfishtë dhe festoi në fund.

KASTRIOTI-DINAMO 2-0

(Greca 50′, 68′)