Egnatia është pa diskutim skuadra që në këto 13 javë kampionat i ka shkaktuar humbjet më të rënda Vllaznisë. Në fazën e parë në Rrogozhinë, pikërisht më 10 shtator, Egnatia mposhti kuqeblutë me shifrat 3-0, teksa shënuan Delarzh, Musta dhe Camaj.
Ndërsa dje në ndeshjen e fazës së dytë rrogozhinasit arritën një fitore historike në Shkodër. Nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e ballafaqimeve mes dy skuadrave dhe për më tepër brenda një kampionati që rrogozhinasit të mundin dy herë radhazi Vllazninë, madje pa pësuar asnjë gol.
Kjo ndodhi këtë sezon, por një fitore me shifrat 3-0, Egnatia e ka ndaj shkodranëve edhe në kampionatin e kaluar. Ekipi që drejtohet nga Shpëtim Duro po rezulton një mace e zezë për kuqeblutë dhe për më tepër, ka ndëshkuar të besuarit e Mirel Josës në momentet më delikate.
Vllaznia vinte pas humbjes në finalen e Superkupës ndaj Tiranës dhe Josa e konsideroi si një test të mirë para Egnatias, duke vlerësuar në maksimum kundërshtarin, por sërish dje skuadra zhgënjeu në fushë