Keidi Bare ka luajtur sot ndeshjen e tij të parë zyrtare si titullar me fanellën e Malagas dhe ka rezultuar me fat për skuadrën e tij e cila mundi me shifrat 2-0 Real Saragozën, duke iu afruar më shumë kreut të renditjes në La Liga 2.
Mesfushori shqiptar ishte grumbulluar disa herë me skuadrën e tij ku stërvitet me ekipin e parë, por aktivizohet më rregullisht me ekipin e dytë. Por kriza e dëmtimeve dhe pezullimeve në mesfushë bëri që trajneri të hidhte sytë nga ish-kapiteni i përfaqësueses Shpresa i cili nuk ka zhgënjyer në këtë ndeshje të parë si titullar, duke dhuruar një lojë mjaft cilësore në mesfushë.
Bare luajti gjatë 90 minutave ndërsa ekipi i tij siguroi suksesin që e çoi në kuotën e 39 pikëve në kampionat, duke iu bashkuar Albasetes së Rei Manajt që lufton gjithashtu për t’u ngjitur në elitën e futbollit spanjoll. Vetëm 2 vendet e para ngjiten direkt, ndaj pritet që në gjysmën e dytë të këtij sezoni të ketë një luftë të hapur mes skuadrave të dy futbollistëve shqiptarë të cilët janë miq mjaft të ngushtë. /vipsport/