Esin Hakaj, mbrojtësi i majtë i Vllaznisë, por tashmë edhe i Kombëtares, është i mendimit se në takimin me Tiranën, ekipin shkodran e pret një ndeshje tepër e fortë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai dëshiron dhe beson se sërish, ashtu si në përballjen e fazës së parë, Vllaznia do të arrijë të marrë maksimumin e pikëve.

Një fitore e arritur ndaj Tiranës, Vllazninë do të mund ta barazonte me pikë me kryeqytetasit dhe mund të vinte edhe një kthesë pozitive për kuqeblutë. Gjithsesi, pa shkuar deri aty për mbrojtësin shkodran, përballja do të jetë e një vështirësi të madhe.

Hakaj u shpreh se e kanë kënaqur së tepërmi pikët ndaj Kukësit, ndërsa theksoi se edhe ndaj Tiranës shpreson të vijojë duke shënuar, ashtu si edhe në ndeshjen e fundit ndaj verilindorëve. Kujtojmë këtu se, Vllaznia pati fituar përballjen e fazës së parë ndaj Tiranës me rezultatin 1-2, por Esin Hakaj ishte i dëmtuar në atë ndeshje.

“E kam thënë që ndaj Kukësit, më kanë kënaqur më shumë tri pikët se goli. Normalisht që nuk mund të them se goli nuk më kënaq, por pikët në këto momente kanë rëndësi për ekipin. Mund të themi se kemi bërë një ndeshje të mirë me raste dhe dominim. Fituam përballë një skuadre si Kukësi me shumë cilësi brenda, pavarësisht se nuk është aty ku të gjithë presin.

Mund të them se ishin tri pikë të domosdoshme pas atij barazimi në fund me Erzenin. Në fakt, lamë dy pikë me Erzenin, por i rikuperuam shpejt me Kukësin. Unë mendoj se na kanë sjellë njëfarë qetësie në përballjen ndaj Tiranës.

Takimi ndaj Tiranës? Po, është një ndeshje e fortë, pasi do të luajmë me vendin e parë. Ato kanë një ekip të mirë, por edhe ne jemi një ekip cilësor. Do të jetë një ndeshje e bukur dhe do ta vlerësojmë maksimalisht. Luajmë me kampionen dhe udhëheqësen e kampionatit. Do të jetë si përherë një përballje mes rivalesh.

Mungesa në fitoren e parë në Tiranë? Po, kam qenë i dëmtuar. Megjithatë, kam ndjerë po aq kënaqësi në atë fitore si të isha pjesë e ekipit. Kësaj here shpresoj të jem në fushën e lojës dhe të bëj më të mirën për ekipin.

Gol nga Hakaj sërish? (Qesh) Pse jo, po të më jepet mundësia. Megjithatë, nuk ka rëndësi nëse unë bëj gol apo jo. Rëndësi ka të shënojmë dhe të fitojmë, vetëm të fitojmë me çfarëdo lloj rezultati.

Vllaznia po vuan të gjejë golin? Më vjen keq që nuk po realizojmë rastet e krijuara. Në këtë kampionat është e vështirë të shënosh shumë gola në një ndeshje. E rëndësishme është të jesh ekip kompakt që pas çdo goli që shënon, duhet ta mbash rezultatin. Megjithatë, unë kam besim se do të shkojmë drejt përmirësimit.

Vllaznia një tjetër fitore në kryeqytet ndaj Tiranës? Normalisht që besojmë, sepse i kemi mundësitë. Kemi ekip të mirë dhe me djem që kanë dëshirë për të fituar. Në të tilla takime, janë prezente të tre rezultatet, por unë jam i mendimit që edhe kësaj here ne do të jemi fitues. Do të jenë tri pikë që na vendosin me pikë të barabarta me Tiranën”,-mbylli prononcimin e tij, mbrojtësi i majtë i Vllaznisë, Esin Hakaj.
Maringlen ZHIVANI